Shkolla e Magjistraturës, në bashkëpunim me prezencën e OSBE në Shqipëri, më datë 6-7 tetor 2026, zhvilloi aktivitetin trajnues me temë: “Shkrimi dhe arsyetimi ligjor”, pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës në Tiranë.
Ky aktivitet u drejtua nga:
Ekspertë SHM: Sokol Berberi dhe Lehtësues SHM: Iva Zemani
Ekspertë OSBE: Valon Kurtaj, Aleksandar Mihajlović
Qëllimi i këtij trajnimi është zhvillimi dhe thellimi i njohurive dhe aftësive praktike të pjesëmarrësve në fushën e shkrimit dhe arsyetimit ligjor, përmes njohjes me metodologjitë bashkëkohore të kërkimit, analizës dhe argumentimit juridik.
Në mënyrë të veçantë, trajnimi synon të forcojë aftësinë për të identifikuar dhe strukturuar çështjet juridike kyçe që dalin nga faktet dhe pretendimet e palëve, për të analizuar në mënyrë kritike materialin e dosjes gjyqësore dhe për të bërë dallimin ndërmjet verifikimit të të dhënave faktike dhe vlerësimit të pavarur të provave.
Metodologjia e trajnimit do të ndërtohet mbi kombinimin e prezantimeve tematike, diskutimit të orientuar dhe ushtrimeve praktike.
Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si:
- Struktura e arsyetimit në vendimet gjyqësore: argumentimi logjik dhe bindës: çështjet dhe praktikat e mira;
- Identifikimi dhe strukturimi i çështjeve juridike kyçe. Nga faktet dhe pretendimet te çështja juridike që shtrohet për zgjidhje;
- Arti i arsyetimit kritik i zbatuar në praktikën gjyqësore: Leximi kritik i dosjeve gjyqësore;
- Shqyrtim i thelluar i të menduarit të Sistemit 1 / Sistemit 2, i zbatuar në kontekstet penale; kalimi nga verifikimi i të dhënave (kontrolli i fakteve) te vlerësimi i pavarur i provave;
Shkrimi dhe arsyetimi ligjor: Gjetjet dhe sfidat - IRAC si metodë nga faktet te konkluzioni.
Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë këshilltarë dhe ndihmës ligjorë të Gjykatave të Republikës së Shqipërisë, si edhe staf administrativ nga SPAK dhe GJAKKO.





Shkolla e Magjistraturës